”Posti i Mediut, aleatët nuk guxojnë”

Dorëheqja e ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu duket se nuk ka ngjallur interesat e aleatëve të Partisë Demokratike për të zënë këtë post. Edhe pse kanë kërkuar shpesh që të kenë më shumë pozicione ministrore më parpara, tashmë vendin e aleatit më të ngushtë, nuk e pretendon akoma asnjë nga aleatët e tjerë kryesorë. Kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka duket se është i angazhuar terësisht në kapërcimin e situatës emergjente dhe nuk ka nisur të mendojë për angazhimin e një demokristiani të dytë në qeveri. I pyetur nëse do të kërkojë nga Berisha edhe postin e lënë të lirë nga Mediu ai është shprehur se është koha për të tejkaluar situatën, duke lënë të kuptohet se për momentin, kërkesa e tij për një vend tjetër në qeveri është lënë mënjanë. Nga ana tjetër, as partia tjetër aleate, PBDNJ-ja nuk do të kërkojë marrjen e këtij posti. Ajo është e vendosur që të mos paraqesë asnjë kandidaturë për këtë pozicion  qeveritar, duke u bashkuar me aleatët e tjerë të cilët nuk pretendojnë gjithashtu. Sipas deputetit Spiro Peçi, PBDNJ-ja nuk do paraqesë absolutisht asnjë kandidaturë për të zevendësuar postin e Mediut. Kanë qenë jo të pakta rastet kur aleatët e Partisë Demokratike, sidomos ata që kanë patur pak më shumë deputetë se partitë e tjera aleate,  kanë kërkuar që të bëhen ndryshime në qeveri dhe tu jepet më shumë hapësirë atyre në tryezën qeveritare. Deri tashmë, i vetmi që është shprehur i gatshëm dhe që e sheh veten si një kandidat të mundshëm është deputeti i PBLD-së Arjan Starova, i cili deklaron për “Korrierin” se nëse i bëhet një ftesë për një post të tillë, atëhere ai do ta pranojë pa hezitim. Edhe pse tashmë është deklaruar se në krye të ministrisë së Mbrojtjes do të jetë sërish një republikan, mbetet ende mister emri i kandidatit të mundshëm.

K.KuçajKorrieri

Shkruaj një koment



Kujdes: Komentet moderohen, prandaj dhe postimi i komentit tuaj mund të vonohet. Mos e dërgoni të njëjtin koment dy herë.