Mar 21

Ngjela:”Nëse sistemi është i barabartë, atëhere është OK” 

Propozimi i Partisë Socialiste për ndryshimin e sistemit zgjedhor ka sjellë nevojën për  të bërë disa ndryshime në Kushtetutë. Deputeti Spartak Ngjela i sheh këto ndryshime si të nevojshme nëse merret parasysh fakti se është vetë ndryshimi i sistemit elektoral i cili e sjell një kërkesë të tillë. “ Ndryshimet e Kushtetutës janë të domosdoshme nëse ndryshon sistemi. Këta duan të ndërrojnë sistemin elektoral. Duan të kthejnë nga mazhoritar në proporcional zonal dhe patjetër që duhet të ndryshojë edhe ligji” shprehet Ngjela për “Korrierin”. Sipas tij, do të ishte zgjidhje e mirë edhe mundësia që në Kushtetutë ti jepet  vetëm karakteri i përgjithshëm sistemit, pra duke e përcaktuar vetëm si sistem proporcional. Ndërsa përsa i përket llojit të proporcionalit, ai shprehet se këtë mund ta zgjidhte kodi zgjedhor. Ngjela mbështet kështu idenë e hedhur një ditë më parë nga kreu i PSD-së Gjinushi, i cili u ka propozuar partive të mëdha një opsion zgjidhje për sistemin e ri zgjedhor, duke kërkuar që të hiqet përcaktimi i termave kombëtar, rajonal apo zonal. Ndërkohë,  ndërsa pritet që në fund të muajit Mars ose në javën e parë të muajit Maj të bëhet zyrtarizimi i partisë së re të themeluar nga Ngjela, ai shprehet se tashmë kjo e fundit është strukturuar mirë, duke u shtrirë në të gjithë Shqipërinë. I pyetur nëse e sheh si të përshtatshëm ndryshimin e sistemit zgjedhor përsa i përket partisë së tij të re, ai shprehet se nëse sistemi do të jetë i barabartë për të gjithë, atëhere ai nuk paraqet asnjë problem.

K.Kuçaj Korrieri

Mar 21

Dorëheqja e ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu duket se nuk ka ngjallur interesat e aleatëve të Partisë Demokratike për të zënë këtë post. Edhe pse kanë kërkuar shpesh që të kenë më shumë pozicione ministrore më parpara, tashmë vendin e aleatit më të ngushtë, nuk e pretendon akoma asnjë nga aleatët e tjerë kryesorë. Kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka duket se është i angazhuar terësisht në kapërcimin e situatës emergjente dhe nuk ka nisur të mendojë për angazhimin e një demokristiani të dytë në qeveri. I pyetur nëse do të kërkojë nga Berisha edhe postin e lënë të lirë nga Mediu ai është shprehur se është koha për të tejkaluar situatën, duke lënë të kuptohet se për momentin, kërkesa e tij për një vend tjetër në qeveri është lënë mënjanë. Nga ana tjetër, as partia tjetër aleate, PBDNJ-ja nuk do të kërkojë marrjen e këtij posti. Ajo është e vendosur që të mos paraqesë asnjë kandidaturë për këtë pozicion  qeveritar, duke u bashkuar me aleatët e tjerë të cilët nuk pretendojnë gjithashtu. Sipas deputetit Spiro Peçi, PBDNJ-ja nuk do paraqesë absolutisht asnjë kandidaturë për të zevendësuar postin e Mediut. Kanë qenë jo të pakta rastet kur aleatët e Partisë Demokratike, sidomos ata që kanë patur pak më shumë deputetë se partitë e tjera aleate,  kanë kërkuar që të bëhen ndryshime në qeveri dhe tu jepet më shumë hapësirë atyre në tryezën qeveritare. Deri tashmë, i vetmi që është shprehur i gatshëm dhe që e sheh veten si një kandidat të mundshëm është deputeti i PBLD-së Arjan Starova, i cili deklaron për “Korrierin” se nëse i bëhet një ftesë për një post të tillë, atëhere ai do ta pranojë pa hezitim. Edhe pse tashmë është deklaruar se në krye të ministrisë së Mbrojtjes do të jetë sërish një republikan, mbetet ende mister emri i kandidatit të mundshëm.

K.KuçajKorrieri

Mar 16

 Gilman Bakalli:“Aleatët e PD-së, përbindësha me oreks të madh e stomak të vogël”  Kreshnik Kuçaj Brenda Partisë Demokratike nuk ka individë të cilët organizohen në mënyrë të fshehtë dhe veprojnë në emër të objektivave të caktuara që bien ndesh me ato të partisë. Kjo është ajo që mendon deputeti shkodran Gilman Bakalli, i cili para disa kohësh është larguar nga grupi parlamentar i PD-së. Sipas tij,  mosekzistenca e klaneve nuk e përjashton mundësinë që anëtarë të caktuar të kabinetit qeveritar, apo të grupit demokrat të përdorin mandatin e tyre në funksion të interesave të tyre personale. Ai tregon se nuk ka vendosur akoma që të rreshtohet në ndonjë nga formacionet e reja politike që po krijohen në vend ndërsa nuk e ka menduar akoma se cfarë mund të bëjë në të ardhmen përsa i përket angazhimit të tij politik.   -Jeni larguar nga Partia Demokratike, duke deklaruar si një nga arsyet kryesore, harresën që kjo parti i ka bërë qytetit tuaj, Shkodrës. Në Shkodër kanë nisur të bëhen disa investime si rregullimi i rrugëve dhe trotuareve, lyerja e pallateve etj.  I qëndroni akoma mendimit se qeveria nuk i është përkushtuar Shkodrës? Çfarë problemesh paraqesin keto investime?  

Është e vërtetë që në Shkodër po shtrohen disa rrugë, po lyhen fasada pallatesh. Por kjo është shumë pak për ta kompensuar atë indiferencën disavjeçare të treguar nga të tëra qeveritë ndaj Shkodrës. Nuk duhet harruar se paralelisht me shtrimin e disa rrugëve të qytetit indiferenca shkatërruese ndaj potencialit të jashtëzakonshëm human dhe ekonomik të këtij qyteti vazhdon në të njëjtat përmasa. Ajo që më shqetëson është mungesa e një modeli zhvillimor të qytetit. Shkodrës i mungon pra një model zhvillimi edhe pse ka nje Strategji të Zhvillimit Lokal; Shkodra sot nuk është as qytet metropol e as qytet turistik, megjithëse i ka potencialet për të dyja. Ajo është kthyer në një njësi bastarde urbano rurale pa identitet të sajin; bile më keq akoma: identiteti i saj historik e kulturor kërcënon të zhduket nën peshën e papërballueshme të këtij zhvillimi pa klorofil dhe pa një profil. Shqipërisë nuk i duhet vetëm një qendër e madhe si Tirana ku përqëndrohen tregëtia dhe jeta institucionale e vendit. Duhen edhe qendra të tjera si Shkodra, ku natyra, turizmi dhe biznesi metropolitan ndërthuren në harmoni me njëri-tjetrin.

  -A jeni akoma i vendosur për të mos u përfshirë në asnjë grup parlamentar? 

Më duhet të them se unë nuk kam dalë nga një ushtri për t’u futur në një tjetër. Gjykoj se diferencat mes një grupi parlamentar apo një tjetri, sa i takon strukturës së organizimit apo marrëdhënies me fjalën e lirë nuk ndryshojnë edhe aq. Këtu nuk është çështje partish, por çështje mendësie, çështje sistemi, çështje bajraktarizmi dhe prirjesh autokratike që s’po i ndahen demokracisë sonë. Është e njëjta pamje: mendon vetëm njëri, ndërsa të tjerët binden. Bota është e mbushur me individë që janë flijuar për t’u vënë në mbrojtje të fjalës së lirë, dhe pozicioni im duhet parë me modesti, thjesht si një pikë fillimi, si një përpjekje modeste për të dëshmuar se edhe ne mund të flijojmë diçka për hir të lirisë së fjalës e të bindjeve tona.

  -E shihni veten të angazhuar në politikë edhe pas përfundimit të mandatit të deputetit? 

 Është ende herët për t’i dhënë një përgjigje pyetjes suaj….

 -A do të bashkëpunoni me ndonjërën nga partitë apo lëvizjet e reja politike që po krijohen? Keni patur ftesa? 

Mendoj se nuk duhet të ketë ftesa për të aderuar në një parti apo lëvizje politike. Pikërisht mënyra e futjes në një parti përmes ftesash ka sjellë atë situate sot në Shqipëri, ku deputetët ndërrojnë partite me një lehtësi të paparë. Kalojnë nga një grup në tjetrin, sepse tek secili grup futen pa bindje, pa vetëdije politike, pa qenë aspak të gatshëm për ta rrokur përkatësinë e re politike. Futen në një grup apo lëvizje thjesht sepse dikush i ka ftuar.

Mendoj se kush e ndjen se mund të jape një kontribut mund të ofrohet vetë. Në lidhje me dy lëvizjet politike në fjalë kanë munguar edhe ftesa edhe motivimi im personal për t’u bërë pjesë e njërës apo tjetrës.

 

-Si e shihni Partinë Demokratike aktualisht?

 

Sot, tek Partia Demokratike shoh një parti me simptomat tipike të një partie në pushtet. Nuk kishte si te ishte ndryshe. Të qenit në opozitë të bashkon, pushteti të ndan dhe krijon pakënaqësi dhe dinamika të ndryshme, si pasojë e të cilave disa individë centrifugohen në qendër, ndërsa të tjerë spostohen në periferi. Natyrisht pakënaqësitë nuk kanë qenë të atij niveli sa të krijojnë ndarje, apo klane, siç kërkojnë të vërtetojnë me ngulm mediat, por gjithsesi kjo parti ka vuajtur dhe po vuan nga trysni të ndryshme: a) nga të ashtuquajturit “aleatë”, të cilët më rezultojnë si përbindësha me oreks të madh, por me stomak të vogël,  b) nga pretendimet e disa deputetëve të mazhorancës, te cilët, në emër të ndryshimeve në qeveri, duan thjesht të maksimalizojnë profitin e tyre politik dhe ekonomik brenda këtij mandati, c) nga e ashtuquajtura bazë, e cila, në emër të reformës në administratë, kërkon vende pune në këmbim të militantizmit partiak. Pa përmendur trysninë që vjen përgjithësisht nga njerëzit e thjeshtë, të cilët presin natyrshëm që jeta e tyre të ndryshojë jo me ritmet e evolucionit, por me ritme që u lejojnë atyre të shijojnë sa janë gjallë. 

I mbetem idesë se nuk mund të flitet për klane brenda Partisë Demokratike, në kuptimin e organizimit të fshehtë të disa individëve që veprojnë në emër të objektivave të caktuara qe bien ndesh me ato te partise. Natyrisht kjo nuk e përjashton mundësinë që anëtarë të caktuar të kabinetit qeveritar apo të grupit demokrat ta përdorin mandatin e tyre ekzekutiv apo legjislativ në funksion të interesave të tyre personale.

 7-Cfare ka ndryshuar nga PD-ja e fillimit, e cila ju tërhoqi të bëheni pjesë e saj? 

Mbase nuk ka ndryshuar asgjë tek ajo Parti Demokratike, pjesë e së cilës u bëra në 2005-ën. Mbase kam ndryshuar unë. Problemi im ka qenë problemi që ka cdo i ftuar në një organizëm partiak ku veprojnë persona me biografi të pasur politike. Në një sistem demokratik pushteti duhet të shpërndahet dhe në gjykimin tim të asaj kohe, mendoja se mjaftonte legjitimiteti që më kishte dhënë elektorati për t’u shndërruar nga një i ftuar në një pjestar të familjes, të cilit i takon pjesa e pushtetit, por nuk e dija që duhej luftuar për të fituar edhe legjitimitetin e partisë, e cila më kishta ftuar. Me sa duket për këtë nuk mjaftonte mandati që i solla PD.  

Dalja ime nga grupi kishte edhe këtë konflikt në themel të saj: konflikti midis legjitimitetit tim nga zgjedhësit dhe luftës sime për të fituar legjitimitetin e partisë që më kandidoi.

 -Si e shikoni marreveshjen mes dy partive të mëdha PD-PS për reformën zgjedhore? 

Debati në lidhje me reformën zgjedhore po anashkalon pikat e përbashkëta, për të cilat binin dakord të gjitha partitë: përpilimin e regjistrit kombëtar të zgjedhësve para fillimit të fushatës elektorale dhe pajisjen e qytetarëve me karta identiteti. Ku jemi sot me këto dy pika? Askush s’e di. Gjithkush merret me sistemin spanjoll, gjerman e ku di unë se cfarë sistemi tjetër duke lënë pas dore dy elemntë të rëndësishëm të reformës zgjedhore.

Para pak ditësh PS solli në parlament draftin që përmban edhe një kod zgjedhor proporcional rajonal me lista të renditura. Jam plotësisht kundër listave të mbyllura, sepse ato eliminojnë konkurrencën midis deputetëve, eliminojnë autonominë morale të deputetit. Deputet, pra, nuk është ai që duan zgjedhësit, por ai që preferon kryetari. Parlamenti shqiptar, kam frikë se do të popullohet përsëri nga ushtarë të bindur të kryetarit, i cili nuk do të lejojë devijime nga fryma e grupit. Ajo që më shqetëson në tërë këtë debat mbi zgjedhjet është mungesa e zërit të specialistëve. Po të shëtisësh me telekomandë nëpër stacionet më të ndjekura televizive shqipatare do të konstatosh vetëm politikanë që japin mendimet e tyre në lidhje me kodin zgjedhor. Nuk mund të mos qesh nga mënyra e kamufluar me të cilën mundohen të fshehin shqetësimin që i pushton nga ideja se mund të mos rizgjidhen si deputetë. Me një seriozitet vdekjeprurës para kamerave ato mundohen ta paraqesin një kod të caktuar zgjedhor si tragjedinë më të madhe që mund t’i kanoset demokracisë së një vendi. Mungojnë specialistë, matematicienë, statisticienë që mund t’i jepnin debatit një ngjyrim profesional, i cili do ta relativizonte politizimin si një fenomen që ka përfshirë cdo skutë të shoqërisë shqiptare.

  

Mar 16

Mirë se erdhët tek Shqipo.com. Ky është postimi i parë. Si pronar i blogut, ti mund ta redaktosh këtë postim, ose të dërgosh një postim të ri. Ju urojmë sa më shumë suksese në blogun tuaj të ri!